qendra shqiptare për integrim, kulturë dhe religjion

Statusi

1.EMRI DHE SELIA

 

1.1 Nën emrin Qendra Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion, në Lozanë (QShIKR) ekziston një shoqatë, politikisht neutrale dhe jofitimprurëse, sipas nenit 60 ff të Kodit Civil Zviceran. Kurse në kuadër të saj është edhe xhamia.

1.2 Selia e QShIKR-së është në “Chemin du Couchant 4,1022 Chavannes-près-Renens”, në kantonin Vaud.

1.3 Qendra jonë përbëhet prej anëtarëve të etnikumit shqiptar dhe të etnikumeve të tjera që pajtohen me këtë Statut, e që kryesisht jetojnë në Lozanë dhe rrethinë.

 

  1. SYNIMET

2.1 Kultivimin e vlerave të mirëfillta të identitetit kombëtar dhe fetar në funksion të ruajtjes nga asimilimi.

2.2 Vendosjen dhe promovimin e marrëdhënieve të dashamirësisë dhe të ndershmërisë me qytetarët e Zvicrës.

2.3 Promovimin e marrëdhënieve korrekte, si dhe shprehjen e respektit dhe të tolerancës mes myslimanëve dhe religjioneve të tjera.

2.4 Ngritjen e urave lidhëse të komunikimit dhe të bashkëpunimit mes komunitetit tonë dhe komuniteteve të tjera në vend, e veçanërisht me institucionet zyrtare të Zvicrës.

2.5 Vendosjen e një politike që ka të bëjë me kontaktet dhe marrëdhëniet korrekte me autoritetet lokale.

2.6 Përforcimin e marrëdhënieve mes familjeve shqiptare.

2.7 Organizimin e aktiviteteve kulturore, fetare e kombëtare, si dhe të atyre rekreative e sportive.

2.8 Synimi i QShIKR-së është ofrimi i mundësisë së mësimit dhe zbatimit në praktikë të Islamit brenda hapësirave të Qendrës, si dhe, sipas mundësive, edhe jashtë saj, si në familje etj.

2.9 Synohet krijimi i një pikëtakimi dhe i një platforme kulturore-fetare islame e kombëtare shqiptare, që do të shërbejë për anëtarët e saj dhe për të gjithë të interesuarit e tjerë.

2.10 Për ta arritur atmosferën e nevojshme për takime dhe për një nivel të nevojshëm për këmbim mendimesh, Qendra jonë merr një pozicion të qartë, nga i cili edhe përfaqësohet vetëm pozicioni islam i së mesmes.

2.11 Synohet ruajtja dhe avancimi i interesave të anëtarëve të saj në mbarë territorin që e mbulon.

2.12 Veprimtarinë e vet e mbështet në burimet e shëndosha të Islamit, në kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Zvicrës, të Deklaratën e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, si dhe në këtë Statut.

2.13 Ekstremizmi dhe/ose fanatizmi i çfarëdo forme nuk do të tolerohet dhe as nuk do të mbështetet nga QShIKR-ja.

2.14 Do të ketë angazhim për një bashkëpunim të mirë e të ngushtë me të gjitha shoqatat, xhamitë dhe komunitetet përreth, si dhe me të gjitha organizatat islame ose kombëtare në Zvicër.

2.15 QShIKR-ja angazhohet për integrimin e anëtarëve të saj në shoqërinë zvicerane, dhe me këtë rast vepron në kuadër të Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër (KMShZ/DAIGS).

2.16 QShIKR-ja është anëtare në organizatat islame në nivelin komunal, kantonal dhe nacional/federal, me të cilat i ndan të njëjtat synime, mësime e mënyra veprimi.

2.17 QShIKR-ja angazhohet për avancimin e dialogut ndërfetar, dhe vë në dispozicion të gjitha mundësitë që ka për ta forcuar e për ta ruajtur paqen ndërfetare në shoqërinë vendase.

2.18 QShIKR-ja është themeluar për një afat kohor të pacaktuar.

2.19 QShIKR-ja obligohet për veprim të pavarur. Veprimtaria e saj nuk guxon të bjerë ndesh me synimet e lartpërmendura apo me parimet e Islamit.

2.20 QShIKR-ja i ruan marrëdhëniet shpirtërore më Bashkësitë Islame të vendlindjes: Kosovë, Maqedoni e Veriut, Shqipëri dhe Luginë e Preshevës.

 

  1. MJETET FINANCIARE

 

3.1 QShIKR-ja në bazë është e pavarur financiarisht.

3.2 Financimi i QShIKR-së sigurohet me anë të:

– kontributeve vjetore të anëtarësisë;

– subvencioneve të mundshme;

– dhuratave pa interes dhe të pakushtëzuara;

– testamenteve dhe trashëgimive;

– kontributeve të dashamirëve dhe afaristëve vendës, dhe;

– të ardhurave nga manifestimet dhe aktivitetet individuale.

3.3 QShIKR-ja nuk pranon donacione/dhurata prej personave apo nga organizatat e dyshimta.

 

  1. ANËTARËT DHE ANËTARËSIA

 

4.1 Anëtarë të QShIKR-së janë personat që e njohin këtë statut dhe që zotohen se do të veprojnë në kuadër të tij.

4.2 QShIKR-ja njeh:

  1. a) Anëtarë të rregullt, dhe;
  2. b) Anëtarë nderi.

4.3 Anëtarësimi në QShIKR mund të kërkohet në çdo kohë, me anë të shkrimit. Për pranim në QShIKR vendos Kryesia e Qendrës.

 

  1. KONTRIBUTET E ANËTARËSISË

5.1 Shuma e anëtarësisë caktohet nga Kuvendi i QShIKR-së.

5.2 Anëtarësia duhet të paguhet brenda tremujorit të vitit kalendarik (nga janari deri në mars), ndërsa është e mundshme edhe mundësia e pagesës me këste.

 

  1. DALJA, PËRJASHTIMI DHE DORËHEQJA

6.1 Anëtarësimi shlyhet nëse:

– një anëtar ia përcjell me shkrim Kryesisë daljen nga QShIKR-ja.

– një anëtar, për arsye bindëse, sikurse janë, për shembull, mospagesa e rregullt e anëtarësisë (për disa vite; këtë e cakton Kuvendi i Qendrës), veprimi kundër synimeve dhe interesave të Qendrës etj., përjashtohet nga Kuvendi i QShIKR-së.

6.2 Anëtarët që largohen vetvetiu, ose që përjashtohen, nuk kanë të drejtë në pasurinë e QShIKR-së.

6.3 Organet udhëheqëse të QShIKR-së, në rast të mosrespektimit të përjashtimit nga radhët e QShIKR-së prej ish-anëtarit, kanë të drejtën e denoncimit tek autoritetet policore vendase, me qëllim të respektimit të vullnetit të tyre sovran mbi ruajtjen e kohezionit të brendshëm të QShIKR-së.

 

  1. ORGANIZIMI

7.1 Organet e QShIKR-së janë:

– Kuvendi

– Kryesia

– Revizorët

 

  1. KUVENDI

8.1 Kuvendi është organi më i lartë i QShIKR. Ai thirret një herë në vit. Në rast nevoje, mund të thirret edhe Kuvend i jashtëzakonshëm.

8.2 Kuvendi ka këto detyra:

1) ndryshon dhe miraton statutin e Qendrës;

2) shpall dhe organizon zgjedhjet brenda Qendrës;

3) përcakton numrin dhe zgjedh, respektivisht shkarkon anëtarët e Kryesisë;

4) përcakton numrin dhe zgjedh, respektivisht shkarkon revizorët;

5) merr vendim për punësimin ose shkarkimin e imamit të rregullt, duke i përcaktuar edhe kushtet e përgjithshme dhe të veçanta për kandidatët e mundshëm, sipas Rregullores për Punët e Imamëve Shqiptarë në Zvicër, të përpiluar dhe të miratuar nga KMShZ-ja;

6) cakton shumën e anëtarësisë (pagesës vjetore të anëtarëve);

7) merr vendim dhe miraton projekte (ndërtim, renovim ose blerje të sendeve) të Kryesisë, që kushtojnë mbi 25.000 franga zvicerane;

8) miraton raportin dhe llogarinë vjetore të Kryesisë;

9) miraton buxhetin vjetor të propozuar nga Kryesia;

10) jep udhëzime dhe sugjerime për punën e imamit, të Kryesisë dhe të revizorëve;

11) miraton themelimin e forumeve apo të grupeve të ndryshme punuese;

12) sjell vendimin për anëtarësim të Qendrës në organizatat e ndryshme islame dhe të tjera brenda Zvicrës, dhe;

13) në përputhje me ligjet në fuqi të Zvicrës dhe Kartën e të Drejtave të Njeriut, sjell vendime për të gjitha çështjet e tjera që nuk janë përmendur në këtë statut.

 

8.3 Vendimet merren me anë të shumicës absolute të të pranishmëve në Kuvend.

8.4 Kuvendi vazhdon punimet nëse në të marrin pjesë 30% e anëtarëve. Nëse nuk arrihet ky kuorum, atëherë Kuvend thirret edhe një herë tjetër, dhe me këtë rast ai ka të drejtë të marrë vendime edhe me më pak se 30% të anëtarëve.

8.5 Kuvendi zhvillohet në gjuhën shqipe, mirëpo sipas nevojës edhe në ndonjërën gjuhë zyrtare të vendit.

8.6 Ftesa për Kuvend dhe pikat e rendit të ditës duhet të bëhen të njohura më së voni dy javë para zhvillimit të Kuvendit.

 

  1. KRYESIA

9.1 Kryesia përbëhet nga më së paku shtatë anëtarë: kryetari, nënkryetari, sekretari, arkëtari si dhe anëtarët e tjerë, sipas nevojës.

9.2 Kryesia zgjidhet një herë në katër vjet. Rizgjedhja është e mundshme, varësisht nga nevoja.

9.3 Për t’u kandiduar për anëtar Kryesie, kusht është që personi në fjalë të ketë qenë anëtar në Qendër më së paku tre vjet nga vitet e fundit.

9.4 Kryesia i kryen këto detyra:

1) i kryen punët e Qendrës dhe e përfaqëson atë në publik;

2) zbaton vendimet e Kuvendit të Qendrës;

3) kujdeset për realizimin e plotë dhe konsekuent të synimeve të Qendrës;

4) siguron mjetet financiare për funksionimin e Qendrës;

5) udhëheq racionalisht me pasurinë e Qendrës, dhe mban kontabilitet;

6) paraqet raport dhe program vjetor për punën e vet në Kuvendin e Qendrës;

7) propozon buxhetin dhe bën llogarinë vjetore të Qendrës;

8) me kërkesë të kryetarit, të shumicës së anëtarëve të Kryesisë, ose të 1/5 së anëtarëve të Qendrës, Kryesia fton mbledhjet e rregullta dhe të jashtëzakonshme të Kuvendit;

9) ia propozon Kuvendit krijimin e forumeve (departamenteve a sektorëve) të përhershme dhe/apo të përkohshëm për punë të caktuara;

10) ia propozon Kuvendit anëtarësimin e Qendrës në ndonjë organizatë islame ose tjetër brenda Zvicrës, dhe;

11) ka të drejtë të angazhojë njerëz kompetentë për realizimin e projekteve ose kryerjen e punëve të caktuara, e të cilat kërkojnë aftësi dhe zotësi të veçanta. Të angazhuarit kompensohen dhe janë përgjegjës para Kryesisë së xhamisë.

9.5 Anëtarët e Kryesisë mund të japin dorëheqje duke iu përmbajtur një afati njëmujor, në fund të çdo muaji. Dorëheqjen ia parashtrojnë me shkrim Kryesisë së Qendrës.

9.6 Në rastet e pikës 9.5, Kryesia i zëvendëson këta me anëtarë të tjerë të Qendrës, deri në Kuvendin e radhës të Qendrës. Kuvendi pastaj vendos ose për vazhdimin e mandatit të tyre, ose për zëvendësimin e tyre.

9.7 Kryesia mban mbledhje aq sa ta kërkojë nevoja, mirëpo më së paku një herë në muaj. Mbledhjet e saj i fton kryetari, me kërkesë zyrtare ose me kërkesë të më së paku tre anëtarëve të Kryesisë. Mbledhjet i udhëheq kryetari, kurse në mungesë të tij ato udhëhiqen prej nënkryetarit.

9.8 Vendimet merren me shumicë votash, dhe me këtë rast secili anëtar Kryesie ka të drejtë një votë. Në rast të barazimit të votave, kryetarit i njihet vota e dyfishtë. Kryesia mund të sjellë vendime në rast se të pranishëm janë së paku shumica absolute e të gjithë anëtarëve të Kryesisë. Vendimet mund të merren edhe me shkrim, përmes postës normale, ose edhe asaj elektronike. Edhe vendimi i këtillë duhet të protokollohet.

9.9 Për secilën mbledhje të Kryesisë mbahet procesverbal në gjuhën shqipe (sipas nevojës edhe në ndonjërën gjuhë zyrtare të Zvicrës), punë që e kryen sekretarit, dhe i njëjti procesverbal arkivohet.

9.10 Dokumentet zyrtare të Qendrës nënshkruhen gjithnjë prej dy personave: kryetarit, dhe një anëtari të Kryesisë.

9.11 Anëtarët e Kryesisë e kryejnë punën e tyre pa pagesë. Atyre u kompensohen harxhimet e rrugës për punë zyrtare, si dhe të tjerat që kanë të bëjnë me punët e Qendrës.

 

  1. REVIZORËT

10.1 Kuvendi i Qendrës e cakton numrin e revizorëve, dhe i zgjedh ata për një periudhë katërvjeçare. Ata kanë të drejtë të rizgjidhen.

10.2 Revizorët mund të zgjidhen nga mesi i anëtarëve të Qendrës, ose edhe prej njerëzve të jashtëm, e që janë kompetentë për këtë punë.

10.3 Revizorët e kontrollojnë llogarinë vjetore të Kryesisë, dhe për këtë i raportojnë me shkrim Kuvendit të Qendrës.

 

  1. DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

11.1 Ndryshimi dhe plotësimi i këtij statuti bëhet vetëm në Kuvendin e Qendrës, dhe atë me vendim të 30% të kuvendarëve të pranishëm.

11.2 Vetëm pasuria e Qendrës vihet në detyrim zhdëmtimi për angazhimet e saj.

11.3 Përjashtohet dorëzania personale e anëtarëve të Qendrës dhe e anëtarëve të Kryesisë së xhamisë.

11.4 Shuarja eventuale e Qendrës mund të bëhet vetëm në mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit, e cila thirret vetëm për këtë çështje, dhe me lajmërim të vendimit të propozuar, së paku një muaj përpara. Për këtë nevojitet prania e më së paku 2/3 të kuvendarëve, dhe më së paku vota e shumicës absolute të kuvendarëve (anëtarëve) të Qendrës.

11.5 Në rast shuarjeje, pasuria ekzistuese e Qendrës i dhurohet ndonjë organizate islame në Zvicër, e cila ndjek synime dhe filozofi të përafërt me të Qendrës. Për këtë vendos Kuvendi i Qendrës.

11.6 Gjuhë komunikimi brenda Qendrës është gjuha shqipe, e sipas nevojës edhe ndonjëra nga gjuhët zyrtare të vendit. Gjithashtu, dokumentacioni i Qendrës mbahet në gjuhën shqipe dhe, sipas nevojës, edhe në ndonjë gjuhë zyrtare të vendit.

11.7 Në rast të mosmarrëveshjeve midis organeve të ndryshme të Qendrës, mund të angazhohet një gjykatë arbitrazhi në qytetin e Lozanës. Vendimet e kësaj gjykate janë përfundimtare.

11.8 Për të gjitha çështjet e tjera që nuk janë përmendur në këtë statut, vlen e drejta civile zvicerane (ZGB).

11.9 Ky statut hyn në fuqi në datën e miratimit ose të ndryshimit nga ana e Kuvendit të QShIKR-së.

CICRA

Qendrës Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë
Centre Albanais pour l'Intégration, la Culture et la Religion à Lausanne

Chemin du Couchant 4
1022 Chavannes-près-Renens

info@cicra.ch

+41 21 691 00 35
+41 76 615 18 00

Rreth nesh

Historiku

Kryesia

Imami

Statusi i CICRA-së

Antarisa

Botimet

Xhamia në Lozanë

Aktivitetet dhe shërbimet

Ditët fetare në vitin 2024

Bëhu anëtar

Kontakt

Leximi dhe mësimi i Kuranit

Kurani është libri i shenjtë i Islamit, një burim i palëkundur udhëzimi për besimtarët në të gjithë botën. Ai përmban fjalët e Allahut, të zbritura nëpërmjet Profetit Muhammed (paqja qoftë mbi të), dhe shërben si udhërrëfyes për jetën, duke ofruar mësime për moralitetin, adhurimin dhe shoqërinë.

SHKARKO
KURANIN E MADHËRISHËM